+381 38 123 456

[email protected]

Shpërblimi për letërsi

“Vitet e Urithit”

— Kim Mehmeti

Kujtohet Rexhai Surroi dhe një gjeneratë gati e harruar

“Ky shpërblim do të na mbijetojë për shkak se ai është shprehje e respektit dhe e admirimit të jashtëzakonshëm që kemi ndaj të gjithë pjesëtarëve të këtij brezi, për të gjitha arritjet e tyre dhe për të gjitha të mirat që na i sollën. Po të mos kishin qenë ata, vështirë se do të kishim pasur shkolla, spitale, universitet, filarmoni e teatër. Vështirë se do të kishim pasur radiotelevizione. Vështirë se do ta flisnim madje edhe gjuhën shqipe”, ka theksuar pronarja e kompanisë KOHA, Flaka Surroi

FISNIK MINCI

PRISHTINË, 22 DHJETOR – Në 20-vjetorin e vdekjes tragjike, me një ceremoni është kujtuar personaliteti i shkrimtarit, gazetarit, politikanit e diplomatit kosovar, Rexhai Surroi. Njëkohësisht është vlerësuar edhe vepra e brezit të Rexhai Surroit, që i hapi Kosovës rrugën e përparimit në fushën e arsimit, kulturës, shëndetësisë, shkencës, politikës dhe diplomacisë.

Në nderim të Rexhai Surroit, në ceremoninë e së hënës u inaugurua shpërblimi vjetor që mban emrin e tij, për romanin më të mirë gjithëshqiptar dhe shkrimin më të mirë gazetaresk të publikuar në gazetat e përditshme kosovare. Çmimi ishte themeluar vitin e kaluar nga kompania KOHA.

“Ishte mu kujtimi, respekti dhe dashuria për Rexhai Surroin ajo që na inspiroi që ta themelonim këtë shpërblim, me një synim të thjeshtë, që tradita që po nis sot të zgjasë me breza e të kultivohet jo vetëm nga pasardhësit e tij, por edhe nga drejtuesit e institucioneve që mbase ndonjë ditë do të zgjohen për të kuptuar dhe pranuar se ndër të tjera historia, politika, arsimi, shëndetësia, kultura e diplomacia nuk nisin me ta”, ka theksuar para të pranishmëve pronarja e kompanisë KOHA, Flaka Surroi. Sipas saj, shpërblimi i lartshënuar që nga ceremonia e parë i ka hyrë një shtegu, të cilit brezi i saj nuk do t’ia shohë fundin. “Jo vetëm për shkak të figurës dhe personalitetit të Rexhai Surroit, por për shkak të figurave dhe personaliteteve të një brezi të tërë, të cilit i kishte takuar ai dhe të cilin sot, në një mënyrë dhe pa dashje, e përfaqëson ai.

Ky shpërblim do të na mbijetojë për shkak se ai është shprehje e respektit dhe e admirimit të jashtëzakonshëm që kemi ndaj të gjithë pjesëtarëve të këtij brezi, për të gjitha arritjet e tyre dhe për të gjitha të mirat që na i sollën.

Po të mos kishin qenë ata, në fakt, po të mos kishit qenë ju, pjesëtarët e atij brezi që jeni sot prezentë në këtë sallë, vështirë se do të kishim pasur shkolla, spitale, universitet, filarmoni e teatër. Vështirë se do të kishim pasur radiotelevizione. Vështirë se do ta flisnim madje edhe gjuhën shqipe”, ka deklaruar Flaka Surroi, e cila ka shprehur bindjen se në këtë mënyrë brezat e ardhshëm do të njihen me njeriun e veçantë, i cili, pos që ka bërë histori, i ka sjellë emancipim këtij populli në kohërat e vështira. “Prandaj edhe këtë, të parin shpërblim, grupi KOHA ia dedikon brezit të prindërve tanë”, ka përfunduar ajo.

Jeta dhe vepra e Rexhai Surroit si gazetar, shkrimtar, politikan, diplomat, sportist, artdashës dhe prind është prezantuar në një film dokumentar nëpërmjet kujtimeve që kanë sjellë familjarët, miqtë e bashkëpunëtorët e tij. Filmi “Rexhai Surroi – Njeriu ynë” është realizuar nga Radiotelevizioni i Kosovës, me autore Antigona Qena-Kaçanikun. Në 20-vjetorin e vdekjes, kompania KOHA ka ribotuar edhe pesë veprat letrare të Rexhai Surroit.

Veton Surroi: Ribotimi i veprave - përpjekje për ta frenuar harresën

Publicisti Veton Surroi para mysafirëve ka elaboruar arsyet për ribotimin e veprave të shkruara nga dora e babait të tij. “Ribotimi ndoshta është më shumë përpjekje për të frenuar atë që është e natyrshme për individin, por jo edhe për shoqërinë, një përpjekje për ta frenuar harresën”, ka pohuar ai, duke vënë në spikamë faktin se shoqëritë kanë ndërtuar mekanizma dhe institucione që do ta luftonin harresën. “Ato shoqëri që kujtojnë më shumë mund, të shohin edhe më shumë përpara në ardhmëri. Ato shoqëri që nuk shohin ardhmëri, ato nuk jetojnë as me kujtime. Këto libra u ribotuan për të frenuar sulmin, ndonjëherë edhe fitimtar që bën harresa kundër shoqërisë sonë”, ka shtuar me tej urroi. Në të njëjtën kohë ai ka rikujtuar edhe rolin që Rexhaiu dhe gjenerata e tij kishin në ndërtimin kulturor të shoqërisë kosovare, me ç’rast, sipas tij, edhe vunë themelet e shtetndërtimit të Kosovës. Ribotimin e veprave të ish-diplomatit, Veton Surroi e ka cilësuar edhe si përpjekje për paraqitjen “e kontributit të Rexhai Surroit në traditën e këtij vendi, si tentativë për shkëputje nga banaliteti i sulmit të harresës, ku nëpërmjet kontributit të tij rrëfehet edhe kontributi i tërë një gjenerate që e ka përgatitur këtë vend për shtet”.

Rexhai Surroi njihet si gazetar dhe redaktor i “Zanit të Rinisë”, redaktor dhe drejtor i Radio-Prishtinës, si dhe drejtor i përgjithshëm i “Rilindjes” gjatë viteve 1983-1985.

Si shkrimtar kishte botuar përmbledhjen e tregimeve “Dashuria dhe urrejtja”, dhe romanet “Besniku”, “Orteku” I dhe II, si dhe “Pranvera e tretë”. Si politikan, gjatë periudhës 1969-1970, ka qenë nënkryetar i Qeverisë Krahinore të Kosovës dhe konsiderohet si njëri ndër themeluesit e Universitetit të Prishtinës më 1970. Si diplomat ka qenë ndihmëssekretar i Punëve të Jashtme dhe ambasador në Bolivi, Kostarikë, Meksikë, Honduras dhe Spanjë. Në mandatin e tij të fundit ka shërbyer ambasador në Spanjë, ku më 1988, ka humbur jetën në një ndeshje trafiku, në rrethana të pasqaruara.

“Vitet e Urithit” i Kim Mehmetit - romani më i mirë, gazetaria pa laureat

Romani “Vitet e Urithit” i autorit Kim Mehmeti është fituesi i çmimit të parë për letërsi “Rexhai Surroi”, ndërkohë që juria e shpërblimit të gazetarisë nuk e ka vlerësuar asnjë punim, nga 35 sosh sa kishin konkurruar, si të denjë për laureat. Vepra e autorit Mehmeti është përzgjedhur si më e mira në mesin e katër finalistëve, që ishin përzgjedhur nga 50 romane konkurruese. Akademik Eqrem Basha në emër të jurisë së letërsisë ka thënë se çmimi i është ndarë njëzëri shkrimtarit nga Maqedonia për shkak të shkathtësisë së tij në realizimin e romanit, në të cilën ngërthehet e tërë historia jonë, në një periudhë të ndjeshme të agonisë së Perandorisë Otomane, Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, stalinizmit e titizmit.

“Nga romani në roman, Kim Mehmeti dëshmohet me personalitetin më të veçantë në veprat tona. Romani i fundit “Vitet e Urithit” është kurorë e këtij rrugëtimi origjinal dhe të papërsëritshëm, që kapërcen një krah të pambërthyer aq shpesh në subjektet tona letrare, në të cilat fatet e familjeve dhe të individëve ndërthuren dhe përplasen në furtunat e historisë, në zgrip të ekzistencës të ruajtjes së identitetit dhe dinjitetit”, ka deklaruar Basha, duke arsyetuar vendimin e jurisë, në përbërje të të cilit pos tij kanë qenë edhe akademik Sabri Hamiti dhe dr. Bardh Rugova.

Ndërsa vetë autori, pasi ka rikujtuar se ka qenë nxënës i Rexhai Surroit, ka shprehur haptas skepticizmin se do të arrinte të renditet i pari mes kandidatëve. Ai është shprehur mirënjohës edhe për përkrahjen që kishte gjetur dikur në “Rilindje”, e cila ia kishte mundësuar shkrimin në gjuhën shqipe.

“Kur erdha në ‘Rilindje’ hasa në diçka që s’e kisha ëndërruar. Përderisa në Maqedoni më thoshin se je diskutabil sa i përket kësaj situatës tënde, këtu më thanë ti shkruaj në cilën gjuhë të duash. Ti duhet vetëm të shkruash. Pastaj normalisht vazhdova të shkruaj duke e  ditur se duhet të ecet rrugë e vështirë dhe duke mos e besuar kurrë që Prishtina do të më thotë Kim je shkrimtar, siç ma thoni sot”, është shprehur ai, gjatë ceremonisë së pranimit të shpërblimit.

Pritjet se në ceremoninë e parë do të ndahej edhe shpërblimi për shkrimin më të mirë të botuar në gazetat kosovare, kanë qenë të kota. Kumtimi i një fakti të tillë është bërë nga anëtari i jurisë për gazetari, Zenun Çelaj, njëherësh doajen i këtij profesioni në Kosovë. Sipas tij, në adresë të jurisë kishin ardhur 35 shkrime nga 22 autorë të 6 gazetave, por që asnjëra nuk i ka përmbushur kriteret e nevojshme për t’u stolisur me ‘medaljen’ e më të mirit.

“Vlerësuam se shkrimet me të cilat kishin konkurruar autorët nuk e kishin shkallën e vlerave të botuara gjatë vitit në mediat e shkruara të Kosovës, se disa nga gazetarët ndoshta gabimisht do ta kenë kuptuar konkursin të shpallur vetëm për gazetarët e ‘Kohës’. Duke mos e ndarë këtë çmim prandaj për sivjet, menduam se po vendosim një standard që do t’i shërbejë gazetarisë së mirë dhe ruajtjes së qëllimit të vetë institucionit, i cili me çmimin synon ngritjen e cilësisë dhe motivimin e gazetarisë që të jenë të përkushtuar për profesionin e tyre dhe kështu të nderojnë edhe emrin me të cilin është pagëzuar çmimi”, ka potencuar Çelaj. Pos tij, anëtarë të kësaj jurie kanë qenë edhe Kelmend Hapçiu, nga agjencia e lajmeve KosovaLive, dhe Naser Miftari, profesor në KIJAC.