+381 38 123 456

[email protected]

Shpërblimi për letërsi

“Darka e gabuar”

— Ismail Kadare

Kadare, fitues i çmimit “Rexhai Surroi” për roman

SUNITA KURTI

PRISHTINË, 22 DHJETOR – Ismail Kadare është fituesi i sivjetshëm i çmimit “Rexhai Surroi” për roman. Juria e përbërë nga akademikët Sabri Hamiti e Eqrem Basha dhe dr. Bardh Rugova, nga prodhimi i pasur i sivjetshëm i romanit shqiptar veçoi “Darkën e gabuar” të këtij shkrimtari të madh, tashmë përmasash ndërkombëtare.

Çmimi për gazetari të shkruar “Rexhai Surroi” u takoi gazetares Serbeze Haxhiaj (Radio Kosova) dhe gazetarit Rexhep Krasniqi (“Koha Ditore”) për shkrimin “Jeta në kërkim të një varri”, të botuar në prill të këtij viti në të përditshmen “Koha Ditore”. Juria, e përbërë nga Zenun Çelaj, Kelmend Hapçiu e Naser Miftari, tha se ishte e një mendjeje kur u përcaktua për këtë shkrim e për këta autorë. Këtë vit është hera e dytë e ndarjes së këtij shpërblimi të themeluar nga “Grupi KOHA”, të cilit akt i parapriu shfaqja e disa sekuencave të dokumentarit për figurën e Rexhai Surroit, të punuar vitin e kaluar nga Antigona Qena, të titulluar “Njeriu ynë”. Ishin emocionet e edicionit jubilar të ndarjes së çmimit “Rexhai Surroi”, incizimi i të cilit u transmetua për pak çaste të martën, arsyeja që nisma e kumtesës së shpërblimeve të ishte më prekëse.

Eqrem Basha në emër të anëtarëve të jurisë arsyetoi vendimin për të shpërblyer romanin e Kadaresë. “’Darka e gabuar’, e botuar nga shtëpia botuese ‘Onufri’, në këtë vit vjen si një yll i ri në universin Kadare duke iu rikthyer vendlindjes Gjirokastrës dhe duke rimarrë temën e Luftës së Dytë Botërore, kthesat historike që sollën vendosjen e diktaturës dhe pikat më të ndjeshme të ngjarjeve që përmbysën fatin shqiptar. ‘Darka e gabuar’ të kujton ‘Darkën e fundit’ biblike, misteret dhe magjinë e saj, të ardhura tek ne me mjeshtërinë e lojës filigranike në kufijtë e reales dhe të fiktives, historikes dhe artistikes”, ka cituar Basha vendimin e jurisë.

Teksa priste të pushonin duartrokitjet disaminutëshe për laureatin e vitit 2009 të çmimit “Rexhai Surroi” për letërsi, vetë Ismail Kadare, ndonëse u shpreh se nuk kishte fjalë specifike për të përshkruar nderin e fitimit të këtij çmimi, citoi disa fjalë të poetit Naim Frashëri, por të modifikuara në mënyrën kadariane. “E kam shumë të vështirë për të thënë diçka të veçantë, por ajo që më vjen ndërmend është vargu i poemës ‘Bagëti e bujqësi’ e poetit Naim Frashëri, që i dedikohet Shqipërisë e që thotë: ‘Nata atje është tjetër natë e dita tjetër ditë’, teksa unë duke perifrazuar këto vargje më duhet të them se çdo udhëtim në Kosovë është tjetër udhëtim dhe çdo çmim këtu është tjetër çmim”, ka thënë Kadare.

Ndërkaq, vendimin e jurisë për ndarjen e çmimit vjetor për gazetari “Rexhai Surroi” e lexoi anëtari i jurisë Zenun Çelaj, kryeredaktor i portalit “Koha.net”. “Këtë herë kemi vendosur që fitues të parë të këtij konkursi të jenë Serbeze Haxhiaj dhe Rexhep Krasniqi për shkrimin ‘Jeta në kërkim të një varri’, të botuar në ‘Koha Ditore’ më datën 27 prill 2009. Ne nuk na duket e nevojshme të shpjegojmë motivet për këtë vendim, por duhet të përmendim se në këtë shkrim bëhet fjalë për një plagë historike që vazhdon të mbetet e hapur për mijëra familje në Kosovë, të cilat do të ndiheshin të lehtësuara që së paku t’ua dinin varret njerëzve të vet të vrarë padrejtësisht me gjyq e pa gjyq nga regjimet e kaluara”, ka thënë Çelaj për shpërblimin, i cili vitin e kaluar mbeti pa fitues.

Drejtoresha e “Grupit KOHA”, Flaka Surroi, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Rexhai Surroi” theksoi se ndarja e çmimeve “Rexhai Surroi” do të ngelet traditë që do të shpërblejë për çdo vit romanet dhe shkrimet e botuara. “Ne do të vazhdojmë t’i kërkojmë e t’i veçojmë ata që kanë frymëzimin dhe talentin që të krijojnë të bukurën dhe të paharrueshmen përgjithmonë të rrënjosur në një libër apo gazetë. Do ta bëjmë këtë, ngase frymëzimi dhe talenti nuk do të shuhen kurrë”, ka thënë Flaka Surroi.

Kadare: Çdo shkrimtar do ta donte çmimin “Rexhai Surroi”

Për shkrimtarin e madh shqiptar Ismail Kadare ardhja në Prishtinë për të pranuar çmimin “Rexhai Surroi” për vitin 2009 për letërsi ishte diçka e pakontestueshme. Ndonëse në rrethana të jashtëzakonshme, ai kishte vendosur të vinte dhe ta pranonte vetë me dorën e tij këtë çmim. “Për këtë që erdha sot në Prishtinë, kam një histori për të treguar. Rruga ishte tepër e vështirë, kam ndërruar dy aeroplanë nga Parisi deri në Prishtinë, në një kohë të vështirë e të mundimshme që mbretëroi dje në gjithë Evropën”, i tha Kadare “Kohës Ditore” pas ceremonisë së ndarjes së çmimit “Rexhai Surroi”.

“E çmoj personalisht shumë këtë çmim dhe ky fakt më bëri të vija gjithsesi dhe të asistoja në ndarjen e çmimit ‘Rexhai Surroi’. Çmimi është i rëndësishëm, çdo shkrimtar shqiptar do ta donte shumë”, tha Kadare duke kërkuar ndjesë. I duhej të nisej menjëherë për në Paris, por nuk mund të mos e thoshte edhe një fjalë. “Çdo çmim që jepet në Kosovë është shumë i mirëseardhur”.

Promovohet libri “I izoluar-Rrëfimet nga tunelet e tmerrit”

Ishte promovimi i librit “I izoluar- Rrëfimet nga tunelet e tmerrit”, i ribotuar nga “Grupi KOHA”, akti që shënoi vazhdimin e ceremonisë së ndarjes së çmimit “Rexhai Surroi” për letërsi dhe gazetari. Janë një numër rrëfimesh të treguara nga personazhet e torturave të izolimit, që ishin ushtruar duke filluar nga viti 1989 mbi personalitetet e shquara shqiptare ato të cilat janë përmbledhur në këtë libër nga Ibrahim Osmani, i cili edhe vetë kishte përjetuar tmerrin e izolimit të regjimit serb.

“Izolimi, një praktikë poshtëruese që kishte nisur pas demonstratave të vitit ‘81 ishte mjeti më denigrues që përdori pushteti i atëhershëm përmes policisë së vet për ta mbytur shpirtin e shqiptarëve të Kosovës. Trajtimi çnjerëzor i njerëzve që u shpallën armiq të shtetit u përdor si mjet torturimi i gjithë një populli tashmë të zënë rob në burgun Kosovë”, ka thënë Flaka Surroi, drejtoreshë e “Grupit KOHA”.

“Është ky vëllim i cili neve që e mbajmë në mend do të na kujtojë një kohë të ligë, përderisa të tjerëve që nuk arritën ta përjetojnë atë kohë do t’u shërbejë si histori”, ka shtuar ajo. Ndërkaq, ishte publicisti Veton Surroi ai i cili me disa fjalë shpjegoi përmbajtjen e librit që në vete ngërthen rrëfime vuajtjesh.

“Në librin të cilin po e promovojmë, e të cilin në fakt po e rishtypim falë aktivitetit të Ibrahim Osmanit, njërit prej grupit të të izoluarve, përmendet një natë e cila përsëritet në çdo rrëfim. Është nata e 27 marsit 1989, kur në dyert e mbi 250 njerëzve kishte trokitur policia serbe për t’i marrë në bisedë informative. Të gjithë ishin shqiptarë. Ata merren dhe dërgohen në stacionet policore fillimisht e që më pas të dërgoheshin me autobusë në Leskovc apo në Vranjë, ku i prisnin torturat e të qenit të izoluar në një burg”, ka thënë Veton Surroi.

Ai ka përmendur rrëfimet e disave nga personazhet e këtij tmerri, si atë të inxhinierit Bashkim Ahma, gjuhëtarit Rexhep Ismajli e të tjerë. Izolimi nëpër burgjet serbe i intelektualëve shqiptarë që kishte filluar qysh në fillim të viteve 80, sipas Surroit, ishte kundërshtimi i parë kolektiv i popullit shqiptar të Kosovës kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe instalimit të regjimit të egër serb në Kosovë. Surroi tha se më vonë ka mësuar se edhe vetë ai, si gazetar i së përditshmes “Rilindja”, së bashku me shumë kolegë të tij gazetarë, kishte qenë në listën e kandidatëve për t’u izoluar. “Atëkohë kishte kryeredaktorë e drejtorë që jo vetëm censuronin shkrime, por i çonin edhe në burg gazetarët e vet”,