+381 38 123 456

[email protected]

Shpërblimi për letërsi

“Iluzione në sirtar”

— Fatos Kongoli

Kongoli merr shpërblimin për letërsi - Halitaj e Hamidi ndajnë atë për gazetari

Edicioni i katërt i ceremonisë së shpërblimeve vjetore për gazetari dhe letërsi ka shkuar në shenjë të akademik Idriz Ajetit, i cili është laureati i parë për vepër jetësore. “Iluzione në sirtar” i Fatos Kongolit ka marrë shpërblimin për letërsi. Agron Halitaj i “Kohës Ditore” dhe Lavdim Hamidi i “Zërit” kanë ndarë shpërblimin për gazetari

Artan Krasniqi

PRISHTINË, 22 DHJETOR - Fatos Kongoli do ta konsideronte roman të romaneve të tij veprën e fundit “Iluzione në sirtar”. E juria vlerësuese për shpërblimin prestigjioz për letërsi “Rexhai Surroi”, e ka cilësuar këtë vepër si fituese për këtë vit. Mjeshtri i prozës bashkëkohore, romancieri dhe fanatiku i rrëfimit të gjatë, Fatos Kongoli, në një letër që është lexuar në ceremoninë e ndarjes së shpërblimit ka shkruar nga New Yorku se do të dëshironte që gëzimin e tij për këtë rast ta ndante në Prishtinë.

Gazetari i “Kohës Ditore”, Agron Halitaj, për tekstin “Presidenti votoi qeverinë, shkeli Kushtetutën” dhe ai i së përditshmes “Zëri”, Lavdim Hamiti, për tekstin “Familjarët e politikanëve të punësuar në PTK”, kanë ndarë për këtë vit shpërblimin vjetor për gazetari “Rexhai Surroi”.

Edicioni i katërt i ceremonisë së shpërblimeve ka shkuar në shenjë të akademik Idriz Ajetit. Ai ka qenë i emocionuar nga triptiku që Grupi KOHA i kishte bërë gati. Për laureatin e parë të Çmimit për vepër jetësore, “Botimet KOHA” ka përgatitur një botim të veçantë, ndërsa ekipi i Kohavisionit ka realizuar një dokumentar për të.

Ceremonisë i është dhënë fund me përurimin e librit të publicistit Veton Surroi, “Libri i fluturave”.

Pararendësi Idriz Ajeti

Rexhep Ismajli, Victor Friedman, Kolec Topalli, Edmond Çali, Francesco Altimari, kanë qenë vetëm disa nga emrat e albanologëve botërorë, që kanë folur në superlativ për akademikun Ajeti.

Pjesës së dokumentarit që është shfaqur të enjten, kapak i është vënë me një fjali të Besim Bokshit, i cili ka folur në cilësinë e kryeakademikut.

“Akademik Idriz Ajeti ka pasur shpërblimin më të madh dhe më të këndshëm që mund të ketë njeriu. Me veprat e shqipes, ai hyri në radhën e bijve të shquar të kombit shqiptar. Ky është një satisfaksion”, ka thënë ndër të tjera akademik Bokshi, në dokumentarin që mban titullin “Pararendësi”. Akademik Ajeti ka shkuar përtej kësaj. Ai që ka hyrë në dekadën e dhjetë të jetës së tij, ka dalë vetë në skenë për të marrë shpërblimin.

Është përkujdesur, krejt spontanisht, të disponoj publikun, që të enjten kishte stërmbushur Sallën e Kongreseve, në hotelin “Grand” në Prishtinë.

“Në fushën e studimeve të marrëdhënieve të gjuhës shqipe me ato sllave, merita të veçanta ka Idriz Ajeti”, ka cituar duke qeshur akademiku, studiuesin e shquar të gjuhës shqipe, Eqrem Çabejn. Me këtë disponim, akademik Ajeti ka qenë për afër 6 minuta të fjalës së tij.

Por dëshira e tij, për të shkruar pa gabime, nuk diktohet vetëm nga rrethanat e qetësisë.

Publicisti Veton Surroi, për njeriun që ec shpejt dhe sipas tij gjithmonë është i pari, ka zgjedhur të rikthejë në kujtesë disa momente me akademik Ajetin, në kohën sa bashkë po qëndronin në Rambuillet të Francës, si anëtarë të delegacionit kosovar.

“Gjatë disa ditëve ishim aq keq mes vete, sa nuk mund të paramendohej se si do të shkonte puna. Falë angazhimit të të gjithëve arritëm të krijojmë një tekst që mendonim se ishte i përbashkët. Idriz Ajeti tha unë kam vërejtje. U frikësova shumë, sepse kishim humbur shumë kohë që të arrinim në atë moment”, ka thënë Surroi.

“Profesori me përpikëri të madhe, filloi të komentonte të gjitha gabimet gjuhësore që i kishim bërë në atë dokument. I thashë: Ndoshta kemi mundur ta tejkalojmë këtë proces. Tha se ne mund ta kapërcejmë, por ky është dokument historik, që do të mbetet, dhe ashtu si

do të mbetet duhet të mbetet mirë në gjuhën shqipe. Ky është Idriz Ajeti”, ka shtuar ai.

“Pararendësi” mban për titull edhe libri me 20 përzgjedhje punimesh nga akademik Idriz Ajeti, një botim i veçantë jokomercial, që “Botimet Koha” ka nxjerrë për nder të laureatit.

Drejtoresha menaxhuese e Grupit Koha, Flaka Surroi, ka thënë me bindje se kur kanë vendosur që i nderuari i parë të jetë akademik Idriz Ajeti, nuk ka pasur asnjë dyshim se ky ka qenë vendim i qëlluar.

Ajo është ndalur tek gjeneza e emërtimit të librit, i cili përveç pjesëmarrësve do t’u dhurohet edhe të gjitha bibliotekave në trojet shqiptare.

“Librin e quajtëm ‘Pararendësi’, dhe kjo, kryesisht për dy arsye: e para, për shkak se pararendës është fjalë shqipe, e dyta, për shkak se sinonimi i huazuar i kësaj fjale, pionier, posaçërisht në kontekstin në të cilin dikur ishim mësuar ta përdornim, nuk i përshtatej shumë profesorit që ka shkelur në dekadën e dhjetë të jetës”, ka thënë Surroi.

Kongoli: Shpërblimi “Rexhai Surroi” kapërcen vlerat letrare të librit

Në fundvit, Flaka Surroi i ka bërë një bilanc të atyre që do të mbaheshin mend këtë vit, për një arsye ose tjetrën.

“Ne në KOHA, i qëndruam besnik parimit të profesionalizimit në gazetë, në televizion e në portal, gjatë raportimit për shumë çështje që patëm ndikim të gjerë në shoqërinë kosovare. E duhet veçuar se këtë e bëmë pavarësisht sulmeve frontale të cilave iu nënshtruam nga personalitete e grupe të ndryshme interesi, vendore e ndërkombëtare”, ka thënë Surroi.

Ajo ka pasur një falënderim për anëtarët e jurive, siç ka thënë ajo, për përkushtimin që i gjithë procesi të përfundonte në përputhje me propozicionet e çmimit dhe për zgjedhjen e laureatëve të sivjetshëm me konsensus të plotë.

Akademik Eqrem Bashës i ka takuar të kumtojë rezultatin e jurisë vlerësuese të çmimit për letërsi, e cila edhe sivjet, përveç tij, ka pasur në përbërje edhe Sabri Hamitin dhe Bardh Rugovën. Për Kongolin ka thënë se është ndër pak ato autoritete të letërsisë shqipe që kanë pushtuar botën, e veprën e tij e ka konsideruar prozë të veçantë dhe mbresëlënëse.

“Përmes jetës së tij, shpalos figurën e diktaturës, burimin e pashtershëm të ligësive. Është një vepër që vetë autori e përcakton ‘pothuajse roman’, për të paralajmëruar se do të veprojë në kufijtë e zhanrit - midis romanit dhe prozës romanistike”, ka thënë akademik Basha.

Në letrën e laureatit Fatos Kongoli, të cilën e ka lexuar kryeredaktori i Kohavisionit, Adriatik

Kelmendi, ai ka shkruar se çmimi që i jepet shënon çastin kulmor të fjalës së mirë.

“Në këtë fazë të krijimtarisë sime, kur nëse ende nuk e ka mbërritur fundin, një ditë natyrshëm do të nisë të shkojë drejt fundit, ky çmim i kapërcen vlerat letrare të librit në përgjithësi, dhe të miat si autor”, ka thënë Kongoli.

Traditën e ka vazhduar edhe Zenun Çelaj. Kryeredaktori i Portalit koha.net, ka lexuar vendimin e jurisë për çmimin për gazetari. Ai, Kelmend Hapçiu dhe Naser Myftari, kanë qenë të një mendjeje se shkrimi i Halitajt, përbën shembullin më ilustrues të rolit të gazetarisë si një pushtet të kontrollit në shoqëri.

Halitaj e Hamidi - rojat e interesit publik

“Besojmë se ai do të mbetet i shënuar në historinë e gazetarisë së mirë të Kosovës, që pati për efekt rënien e një presidenti, dhe mësimin se askush s’mund të jetë mbi ligjin. Juria s’e përballoi dot ta linte pa shpërblim as shkrimin ‘Familjarët e politikanëve të punësuar në PTK’, po ashtu si një shembull të gazetarisë së mirë dhe ilustrim për rolin e gazetarëve - roja të interesit publik”, ka thënë Çelaj.

Gazetari Agron Halitaj ka thënë se rëndom për ata që merren me gazetari, është përshtypja se i kanë fjalët në majë të gjuhës dhe gjithmonë dinë të flasin, pavarësisht në çfarë rrethane gjenden.

“Ndoshta kjo ndodh me gazetarët e televizionit, por unë jam mësuar të shkruaj e jo të flas. Por edhe të isha orator, e të flisja gjatë para jush, prapë fjalimin do ta mbyllja me një fjalë - jam i nderuar që marrë shpërblimin vjetor Rexhai Surroi”, ka thënë Halitaj.

Nder, e ka konsideruar shpërblimin edhe kolegu i tij, Lavdim Hamidi.

“Ky çmim është një nder i madh për mua, sepse mban emrin e gazetarit dhe diplomatit të shquar Rexhai Surroi. Çmimi më motivon që edhe në të ardhmen të merrem më intensivisht me gazetari”, ka thënë Hamidi.

Ceremonia solemne e ndarjes së shpërblimeve është shoqëruar edhe me një program artistik, për të cilin ishin përkujdesur Dardan Selimaj, mexosopranoja Flaka Goranci dhe kitaristi Drilon Çoçaj.