+381 38 123 456

[email protected]

Shpërblimi për letërsi 2015

“Legjenda e vetmisë”

— Ridvan Dibra

Dibra merr shpërblimin për letërsi - Kajtazi për gazetari

Shpërblimin “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë të vitit, “Legjenda e vetmisë”, e ka marrë Ridvan Dibra. Akademik Rexhep Ismajli është nderuar me mirënjohje për vepër jetësore, ndërsa gazetari i “Kohës Ditore”, Vehbi Kajtazi, ka marrë çmimin vjetor për gazetari të shkruar

Vullnet Krasniqi

PRISHTINË, 22 DHJETOR – Romani “Legjenda e vetmisë” i shkrimtarit shkodran, Ridvan Dibra, ka marrë Shpërblimin “Rexhai Surroi”, teksa shkrimi “Pacolli dhe Ejupi zbulojnë emisarët e Dino Asanajt” i gazetarit të “Kohës Ditore”, Vehbi Kajtazi, ka marrë shpërblimin në kategorinë e gazetarisë së shkruar.

Akademik Rexhep Ismajli është nderuar me çmimin për vepër jetësore, të cilin e ndan Grupi KOHA, për kontributin e tij të madh në fushën e studimeve dhe zhvillimit të gjuhës shqipe.

Akademik Ismajli - i cili bashkë me Zenun Çelajn, Afrim Isakun, Kim Mehmetin e Veton Surroin që kanë qenë juria e edicionit të pestë që kanë vendosur për shpërblimet “Rexhai Surroi”, të cilat u ndanë të shtunën në një ceremoni që mblodhi personalitete të ndryshme shqiptare - ka thënë se e ka pasur të vështirë të zgjidhte fituesit në dy kategoritë. Laureati i vitit të kaluar i çmimit për romanin më të mirë, shkrimtari shqiptar Fatos Kongoli, ka qenë ai që ia ka ndarë çmimin kolegut të tij nga Dibra. Kongoli nuk kishte qenë i pranishëm për të marrë çmimin vitin e kaluar, por ka thënë se është i nderuar që këtë vit ka mundur të vinte në Prishtinë.

“Jam shumë i gëzuar që ndodhem këtu. Kam nderin të shpall laureatin e sivjetmë të çmimit ‘Rexhai Surroi’”, ka thënë Kongoli.

Për shkrimtarin Dibra, çmimi “Rexhai Surroi” ka një rëndësi të madhe. Por vetë shkrimtari nuk ka mbajtur fjalim aq të gjatë. “Më lehtë është të shkruaj një roman, sesa të mbaj një fjalim”, ka thënë Dibra. Ai ka përmendur disa libra të tij, të cilët, siç ka thënë Dibra, kanë marrë mbështetjen më të madhe nga Prishtina. “Unë kam shkuar në Tiranë përmes Prishtinës. Jam mirënjohës jurisë për vlerësimin”, ka thënë Dibra, i njohur për librat e tij, si: “Kanuni i Lekës së Vogël”, “Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë” e “Nudo”. Romani “Legjenda e vetmisë” është një rrëfim që, siç e përshkruan vetë autori, është shkruar vetëm për hir të rrëfimit, i zhveshur nga të gjitha funksionet e tjera. “Legjenda...” është një rrëfim i kulluar dhe i bukur.

Juria e Shpërblimit “Rexhai Surroi” e ka vlerësuar librin si një sprovë që synon të risjellë një dramë të lashtë të njerëzimit, kësaj radhe të mbështetur me identitetet popullore. “Romani në fjalë tregon një përpjekje të lavdërueshme të rikthimit tek letërsia e vërtetë, ku proza dhe poezia synojnë të sjellin një realitet”, ka lexuar Kongoli arsyetimin e jurisë për çmimin. Por vetë Dibra ka thënë se nuk shkruan për çmime.

“Mjerë ai shkrimtar që mendon për çmime”, ka thënë Dibra. Por për një kategori tjetër, atë të gazetarëve, çmimet janë një inkurajim për të shkruar më shumë për qytetarin. Kësisoj e ka përshkruar rëndësinë e këtij çmimi anëtari i jurisë Zenun Çelaj, i cili edhe ka ndarë çmimin për gazetari të shkruar. “Juria s’e ka pasur të lehtë punën, por ishte punë që duhej të çohej në fund dhe shpresoj të na falni nëse kemi bërë ndonjë gabim”, ka thënë Çelaj, kryeredaktor i portalit Koha.net. Sipas tij, të kontrollosh pushtetin dhe t’i japësh zë atij që nuk ka mundësi të shprehet, përben mision profesional për gazetarët.

Sipas jurisë, shkrimi i gazetarit Vehbi Kajtazi denoncon një prej aferave më të mëdha të krimit të organizuar dhe korrupsionit, atë për “Grand Hotelin”, që, siç ka thënë Çelaj, janë dy

fenomenet më shkatërrimtare të shoqërisë. “Duam të besojmë se ky çmim do të inkurajojë gazetarët e Kosovës që edhe në vitet e ardhshme t’u japin zë atyre që nuk janë në pushtet”, ka thënë Çelaj.

E për Kajtazin ky çmim është vlerësim për një shkrim që ka arritur të shpërfaqë krimin dhe korrupsionin në vend në nivelin më të lartë. “Ky objekt që dikur ka qenë simbol i zhvillimit në Kosovë, sot është bërë simbol i krimit dhe korrupsionit”, ka thënë Kajtazi.

Ceremonia e ndarjes së Shpërblimeve “Rexhai Surroi” ka qenë e mbushur edhe me muzikë dhe promovim libri me fotografi. Por ka pasur edhe video. Njëri prej më të rëndësishmeve ka qenë ai kur akademik Rexhep Ismajlit nëpërmjet “Skype” i janë dërguar urimet nga studiues e studentë të tij ndërkombëtarë.

“Ndihem i privilegjuar që të jem sot këtu në nderimet që më bëhen”, ka thënë akademik Ismajli. Në nderim të tij Botimet KOHA ka botuar librin “Studime për nder të Rexhep Ismajlit”, të cilin e ka përgatitur Departamenti i Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës.

“Për mua kjo është një dhuratë e madhe”, ka thënë akademik Ismajli.

Sipas tij, marrja e këtij çmimi një vit pas, pasi që për herë të parë e kishte marrë akademik Idriz Ajeti, është krenari.

“Nuk gënjej nëse them se e përjetoj si respekt për punën sado modeste në radhë të parë për studimet për gjuhën shqipe dhe për angazhimet në kulturën shqipe, për përpjekjet për modifikimin e këtyre studimeve, për angazhimet e integrimit të tyre në rrafsh kombëtar dhe ndërkombëtar”, ka thënë Ismajli.

“Kënaqësia më shtohet kur shoh se punën e madhe në këto studime po e vijojnë të rinjtë brezi i të cilëve në vitet ’90 kryenin mësimin në shkollashtëpi”, ka shtuar ai. E këtë çmim Ismajlit ia ka ndarë publicisti dhe themeluesi i gazetës “Koha Ditore”, Veton Surroi. Ai është kthyer prapa në kohë, saktësisht në verën e hershme të vitit 1989, kur për herë të parë e kishte takuar Ismajlin. Siç e ka kujtuar Surroi, akademik Ismajli i përket një gjenerate që ka bërë shumë për kulturën dhe gjuhën shqipe. “Takimi nuk mund të ishte mbresëlënës, sepse ai ishte njeriu që shpërfaq një gjeneratë që kishte marrë përsipër të nxirrte nga shtypja kulturën shqipe dhe ta avanconte atë në mbrojtjen e gjuhës nga ndrydhja”, ka thënë Surroi.

Sipas tij, akademik Ismajli ka fituar disa beteja, teksa ende po vazhdon të jetë një mbrojtës i madh i gjuhës. “Ai vazhdon betejën e tij të pasurimit të gjuhës shqipe”, ka thënë publicisti Surroi. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Rexhai Surroi” për Ismajlin ka folur edhe Flaka Surroi, pronare dhe drejtoreshë menaxhuese e Grupit KOHA.

Sipas saj, figura e akademik Ismajlit është e rëndësishme për kulturën dhe gjuhën shqipe. “Edhe pse nuk e kam pasur mësimdhënës, nuk gjej formë tjetër që t’i drejtohem, pos si profesor.

Në kohën kur kishte pranuar të bëhej anëtar i jurisë, nuk e kishte pasur idenë se do të jetë laureat i këtij shpërblimi. Ta falënderojmë akademikun Rexhep Ismajlin për gjithë kontributin e tij shkencor”, ka thënë Surroi. Sipas saj, juria nuk e ka pasur të lehtë që të zgjedhë fituesit në kategoritë e romanit dhe shkrimit më të mirë në gazetari. Surroi në fjalimin e saj është fokusuar më shumë në sukseset e këtij viti. Ditëlindja e 15-të e gazetës “Koha Ditore”, dhurimi i 30 mijë librave nga Botimet KOHA, suksesi i këngëtares Rona Nishliu në “Eurovision”, pastaj ai i xhudistes kosovare, Majlinda Kelmendi, në Lojërat Olimpike, heqja e neneve 37 dhe 38 të Kodit Penal që rrezikonin gazetarinë e pavarur, festivalin “DokuFest” e deri tek koncerti solistik i sopranos së njohur shqiptare Inva Mula. Surroi ka përmendur edhe ikjen e dy personaliteteve të njohura shqiptare, vdekjen e poetit Ali Podrimja dhe të publicistit e politikanit Arbën Xhaferi.