+381 38 123 456

[email protected]

Shpërblimi për letërsi 2015

“Ulurima e ujkut”

— Ag Apolloni

Grupi “KOHA” nderoi më të mirët e vitit

Çmimi për romanin më të mirë shqiptar i ka takuar veprës letrare të shkrimtarit Ag Apolloni, “Ulurima e ujkut”, ndërsa çmimin për shkrimin më të mirë gazetaresk në mediet kosovare e kanë ndarë gazetari i “Kohës Ditore”, Vehbi Kajtazi, dhe kryeredaktorja e “Zërit”, Arbana Xharra. Mirënjohja për vepër jetësore i ka takuar gazetarit veteran, Nehat Islami

Vullnet Krasniqi

PRISHTINË, 23 DHJETOR – Romani i ndërtuar mbi kujtimet dhe dy shkrime gazetareske të cilat shpërfaqin njëri korrupsionin në klinikën e zemrës dhe tjetri rrezikun nga ekstremizmi fetar janë shpërblyer në ceremoninë e gjashtë së ndarjes së çmimeve “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë shqiptar dhe atë për gazetari të shkruar në mediet kosovare. E gazetari veteran, ndër korrespondentët e parë kosovarë nga vendet e luftës, Nehat Islami, është zgjedhur laureat i çmimit për vepër jetësore.

“Ulurima e ujkut” është titulli i romanit i shkruar nga Ag Apolloni, që për jurinë e sivjetme të çmimit “Rexhai Surroi” ka fituar çmimin për romanin më të mirë shqiptar, pasi siç e ka cilësuar juria, ai sjell një vepër të re letrare të ndërtuar mbi kujtimet.

Laureati i parë i këtij çmimi, shkrimtari shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti, ka prezantuar çmimin në emër të jurisë së përbërë nga shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi, gazetari Zenun Çelaj dhe shkrimtari e diplomati Agim Isaku.

Për Mehmetin, romani i Apollonit është një vepër letrare që të bën të dëgjosh zërin e së shkuarës dhe atë të sotmes.

“Në këtë roman të shkruar nga një njohës i mirë i teorive letrare përballesh me vetëdije të lartë të autorit duke ndërtuar një konstrukt letrar duke shkruar një roman që shndërrohet në një obelisk”, ka thënë Kim Mehmeti, sipas të cilit, çmimi “Rexhai Surroi” mbetet njëri prej më të rëndësishme në letërsinë shqiptare, pasi është shndërruar në një matës të saktë të vlerave të mirëfillta dhe kësisoj është një peshore e pagabueshme që përcakton vendin e një vepre letrare të shpërblyer me këtë çmim.

Mehmeti e ka quajtur romanin e Apollonit një libër që të bën të ndjesh ulërimën e një kohe që i ka vendosur njerëzit para dy zgjidhjeve: “të lehin si qentë apo të ulërijnë drejt qiellit”, ndërsa për vetë autorin çmimi e ka përcaktuar se ai është më i mirë si shkrimtar sesa si gazetar.

“Kam punuar si gazetar në gazetën ‘Koha Ditore’. Me gjithë përkrahjen kam vazhduar si kolumnist të cilën më kanë thënë se po e bëj mirë, por me këtë çmim del se si shkrimtar jam më i mirë se si gazetar”, ka thënë Apolloni, teksa i është drejtuar publikut të përbërë nga personalitete të ndryshme të jetës politike, kulturore e publike të mbledhur në hotelin “Emerald”, aty ku është mbajtur ceremonia e ndarjes së çmimeve.

Themeluar dhe organizuar nga Grupi “KOHA”, çmimi “Rexhai Surroi” për letërsi dhe gazetari, edhe sivjet në vitin e 6-të ka kombinuar një program artistik që e ka moderuar  Blerim Myftiu, sipas të cilit konkurrenca në të dyja kategoritë ka qenë e fortë dhe nuancat kanë bërë dallimin e më të mirëve. Për dallim nga çmimi për romanin më të mirë, në konkurrencën për shkrimin më të mirë gazetaresk në mediet kosovare janë shpërblyer dy gazetarë. Ai i “Kohës Ditore”, Vehbi Kajtazi, për shkrimin “Klinika e vdekjes” që sjell një hulumtim mbi klinikën e zemrës “Heart” në Gjakovë, ku janë kryer operacione nga mjekë pa diplomë, se u janë vënë stenda pacientëve me dhe pa nevojë dhe se ka pasur vdekje pacientësh që janë konstatuar se kanë ndodhur për lëshime të mjekëve. Për kryeredaktorin e portalit “Koha.net”, Zenun Çelaj, shkrimi i Kajtazit kap problemin e krimit të organizuar që ka lëshuar rrënjë edhe në segmentin më humantë çdo shoqërie - atë të shëndetësisë.

Kajtazi i cili edhe vjet ka qenë fitues i çmimit “Rexhai Surroi” ka thënë se në të dy herët është zënë i papërgatitur për fjalim, pasi nuk e ka besuar se do të fitojë.

“Faleminderit shumë për këtë vlerësim të jashtëzakonshëm që më bëtë për herë të dytë”, ka thënë Kajtazi. Ndërsa për shkrimin tjetër fitues, të kryeredaktores së gazetës “Zëri”, Arbana Xharra, Çelaj ka thënë se seria e shkrimeve “Kosova alarmohet nga ekstremistët konservatorë” tregon për rrezikun aktual të vendit, por edhe të globit nga ekstremistët fetarë.

Xharra – e cila ka nisur karrierën në gazetën ‘Koha Ditore’ – ka thënë se shpërblehet nga një shtëpi mediave që e ka mësuar se çka është të kesh guxim dhe të shkruash me kurajë.

 Shumica e 20 shkrimeve gazetareske të këtij viti që kanë konkurruar për çmim kanë pasur tematike të korrupsionit dhe kjo, sipas Çelajt, dëshmon se gazetaria në Kosovë edhe pse nga pushteti shpeshherë trajtohet si rrënues i shtetit është në fakt e kundërta. Sfidën e gazetarisë e ka përmendur edhe moderatori i ceremonisë i cili ka treguar se për Grupin “KOHA”, viti 2013 ka qenë plot me sfida, por ato nuk e kanë ndalur nga realizimi i misionit për informim të drejtë dhe me kohë.

E për pronaren dhe drejtoreshën menaxhuese të Grupit “KOHA”, Flaka Surroi, po të ishte gjallë babai i saj, gazetari, shkrimtari e diplomati Rexhai Surroi, në emër të të cilit ndahen çmimet, me krenari do t’i tregonte sesi në kompaninë më të madhe mediale në vend pos informimit po ofron edhe përmbajtje intelektuale, kulturore dhe edukative.

Surroi, e cila ka rrëfyer në vetën e parë, ka folur edhe për shumë lajme e ndodhi të tjera që do t’ia tregonte po të ishte gjallë Rexhai Surroi e që kanë të bëjnë me ngjarje prej atyre më privateve e deri tek ato ngjarje sikurse pavarësia e Kosovës. Të dielën e 22 dhjetorit janë bërë 25 vjet që kur Rexhai Surroi ka vdekur.

“Po të mundja do t’i tregoja se atë që na ka mësuar, t’i mbetemi besnik fjalës së dhënë dhe drejtësisë, po përpiqemi ta jetësojmë me gjithë fuqinë që e kemi. Do t’i tregoja se pavarësisht të gjithave besojmë në atë që e bëjmë dhe që po e bëjmë obligimin që e kemi ndaj shoqërisë kosovare”, ka thënë Surroi, teksa ka shtuar ndodhi të tjera sikurse për luftën ndaj padrejtësisë dhe për ata që e kanë braktisur këtë rrugë në listën e gjërave që do të donte t’ia tregonte Rexhai Surroit.

“Themelimi i çmimit ‘Rexhai Surroi’ bëri që të gjithëve neve në sallë të na jepet mundësia t’i nderojmë për çdo vit ata që juria në bazë të paraqitjeve do t’i vlerësonte më të mirët në letërsi dhe gazetari të shkruar. As sivjet nuk ka qenë shumë lehtë për jurinë dhe t’jua them të drejtën kjo më gëzon për shkak se konkurrenca po bëhet përherë më e madhe”, ka thënë Surroi.

Ajo ka ndarë edhe mirënjohjen për vepër jetësore, gazetarit veteran Nehat Islami, që e ka quajtur “mbase korrespondentin e parë kosovar të luftës”. Bashkë me mirënjohjen për vepër jetësore, Surroi ka prezantuar edhe librin e sapobotuar të Islamit “Hotel Bejrut”. Ajo e ka përshkruar rrugëtimin e Islamit në botën e gazetarisë dhe të aktivizmit qytetar si faktor

kryesor që ka ndikuar në nderimin e veprimtarisë së jetës së tij. Në ceremoninë ku kanë performuar edhe grupi vokalist “Voxart” është shfaqur edhe një dokumentar i shkurtër për gazetarin Islami. E për Islamin një mirënjohje e tillë, pikërisht në 70-vjetorin e lindjes së tij është një çmim për atë që ai e ka quajtur “guxhumitjen” e gjeneratës së tij në profesionin e gazetarisë e që shumë prej tyre nuk jetojnë.

“Por edhe si një rast falënderimi për Grupin ‘KOHA’ që me vite konfirmon një traditë të çmuar, duke bashkuar nën një kulm gazetarë të moshuar dhe të rinjtë energjikë, të cilët po hapin shtigje të reja me vlerë të profesionit tonë, por edhe duke mos i përbuzur as belbëzimet e paraardhësve”, ka thënë Islami.

“Grupi ‘KOHA’ po e jetëson porosinë e shumëkuptimtë të Rexhai Surroit, gazetarit të shquar dhe shkrimtarit të gjeneratës së viteve ’60, i cili në kohën e tij ecte para kohës, sepse besonte në vitalitetin gjuhës shqipe, por edhe në forcën e sharrëxhinjve”, ka thënë Islami, duke e lidhur fjalën e tij me fjalimin e Rexhai Surroit për gjuhën shqipe që kishte dalë nga kornizat e një gjuhe të sharrëxhinjve, duke u shndërruar në një gjuhë të akademikëve dhe të elitës kulturore.

Islami sjell shkrimet dhe reportazhet nga Lindja e Mesme në “Hotel Bejrut”

Për gazetarin veteran, Nehat Islami, mirënjohja për vepër jetësore nuk ka qenë vlerësimi dhe gëzimi i vetëm që ka marrë të hënën gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Rexhai Surroi” për letërsi dhe gazetari.

Atij i është prezantuar edhe libri i parë i sapodalë nga Botimet “KOHA”, “Hotel Bejrut” që sipas botueses Flaka Surroi, “është një përmbledhje e jashtëzakonshme e shkruar në stilin nehatian nga koha kur ai kishte qenë korrespondent në Lindjen e Mesme”. Surroi e cila ka evokuar kujtime nga njohja dhe takimet me Islamin ka thënë se në 70-vjetorin e lindjes së tij ka pasur fatin që të redaktojë shkrimet dhe reportazhet që Islami i kishte shkruar kur kishte qenë më i ri sesa që është ajo tash.

“Dhe ju siguroj se (botimi i librit v.j) nuk ka qenë pjesë e planeve kur ndiheshim të vegjël”, ka thënë Surroi.

Sipas saj, ky botim ndërlidhet edhe me nderimin e Islamit me mirënjohje për vepër jetësore, për punën në televizion me dokumentarë dhe intervista që ende janë të ruajtura në arkiva të RTP-së.

“Për punën e tij të paharrueshme si korrespondent i parë kosovar i luftës, për punën e tij plot humor dhe të palodhshme në KMLDNJ dhe në institucione të tjera”, ka thënë ajo. Për vetë autorin, një libër i tillë është një dhuratë e veçantë.

“Kam mbledhur në një vend vëzhgimet dhe përjetimet e një periudhe të rëndësishme. Shpresoj se të gjitha këto do të jenë një vegzë për ata që janë të interesuar që t’i kuptojnë disa gjëra që janë aktuale edhe sot e që fatkeqësisht vlojnë në këtë regjion”, ka thënë Islami.

Nga Lindja e Mesme ai njihet për shumë rrëfime interesante nga zonat e luftës atje dhe për intervista me personalitete të ndryshme si Jaser Arafat, Nëna Terezë, Ismail Kadare dhe shumë të tjera. Karrierën si gazetar e kishte nisur si 23-vjeçar në gazetën “Rilindja”.

Besnik Mustafaj përuron librin autobiografik

Politikani dhe diplomati shqiptar, Besnik Mustafaj, ka një dilemë të cilën shpreson ta zgjidhë shpejt. Këtë e ka bërë të ditur në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Rexhai Surroi”, ku edhe e ka promovuar librin e tij “Autobiografi me teleskop” i lansuar nga Botimet “KOHA”. Për shkrimin e këtij libri Mustafaj ka thënë të ketë shpenzuar 5 vjet kohë. Për të ky roman është një provë nëse ka bërë mirë apo keq që e ka lënë politikën. “Në qoftë se kam bërë një produkt të keq, atëherë kam bërë keq që e kam lënë politikën. Në qoftë se e kam bërë një roman të mirë, atëherë kam bërë mirë që e kam lënë politikën”, ka thënë Mustafaj.

Por për ish-politikanin, diplomatin, publicistin e shkrimtarin Veton Surroi, Mustafaj me këtë roman ka treguar shkathtësitë e tij intelektuale si shkrimtar.

“ I është kthyer pasionit pas shumë vjetësh heshtjeje dhe i është kthyer në formën më të mirë të mundshme, duke gjetur qetësinë e vet, një qetësi në narracion që shihet në këtë roman që do t’jua rekomandoja ta lexoni të gjithë”, ka thënë Surroi.

Sipas tij, Mustafaj me këtë roman e ka rifituar lirinë e të shkruarit për veten dhe për të gjithë lexuesin shqiptar.

“Në të është një personazh që quhet Besnik Mustafaj, i cili merret me diplomaci herë-herë, pastaj edhe me shkrime. Nuk e di a ka ndonjë lidhje me autorin e librit ndonëse ai vetë thotë se po bën një ‘Autoportret me teleskop’”, ka thënë Surroi.

E Mustafaj është kthyer në vitet ’90 për të kujtuar kohën kur kishte nisur të botonte shkrime në gazetën “Kohën Ditore” për të treguar emocionin që e ka ndaj lexuesit shqiptar.

“Habitesha sesi njerëzit këtu më identifikonin menjëherë në bazë të shkrimeve. Një emocion që një autor nuk mund ta harrojë”, ka thënë Mustafaj, i cili më vonë do të hynte në botën e politikës kur për disa vjet edhe drejtoi politikën e jashtme të Shqipërisë. Ai rikthehet në botën e letërsisë pas afro dy dekadave dhe kjo periudhë për të ka shërbyer si një kërkim mbi botues.

“Pas 20 vjetësh në kërkim të botuesve tashti jam në kërkim të lexuesve dhe me këtë shpresoj që disa nga ju sa më shumë nga ju ta lexoni këtë roman”, ka thënë Mustafaj.