+381 38 123 456

[email protected]

Shpërblimi për letërsi 2015

“Portat e Pejës”

— Binak Kelmendi

KOHA shpërblen veprat që bëjnë ndryshimin

Dy shkrime që kanë nxitur dorëheqje e hetime, si dhe romani që kërkon një qasje tjetër ndaj qytetit, janë shpërblyer me çmimet e përvitshme që ndan Grupi KOHA. Për vepër jetësore u nderua pjesëtari i brezit të parë të shqiptarëve të diplomuar në ish-Jugosllavinë e viteve ‘50, në ceremoninë ku u promovua edhe vëllimi i parë i librit “Monument”

Elvira Berisha

PRISHTINË, 22 DHJETOR - “Portat e Pejës”, një roman që hap portat e një qyteti nëpër të cilin autori e shëtit lexuesin nëpërmjet kujtimeve të së kaluarës, është fitues i çmimit prestigjioz letrar “Rexhai Surroi”. Juria në përbërje të Kim Mehmetit, Agim Isakut, Veton Surroit e Zenun Çelajt ka përzgjedhur Binak Kelmendin laureat të edicionit të shtatë të ceremonisë vjetore për gazetari dhe letërsi. Gazetarët e “Kohës Ditore”, Vehbi Kajtazi për shkrimin “Dyshime të forta për korrupsion në EULEX” dhe Besnik Krasniqi për shkrimin “Profesorët mashtrues të UP-së”, kanë ndarë shpërblimin vjetor për gazetari të shkruar

“Rexhai Surroi”.

Edicioni i shtatë i ceremonisë së shpërblimeve vjetore që ndan Grupi KOHA ka nderuar me çmimin për vepër jetësore Riza Çavollin, pjesëtar i brezit të parë të shqiptarëve të diplomuar në ish-Jugosllavinë e viteve ‘50. Autori i 21 librave mori dhuratë për ditëlindjen e 85-të librin që sapo ka dalë në shtyp nga Botimet KOHA, “Gjeografia e kontinenteve pa Evropën”.

Në ceremoninë e sivjetme “Rexhai Surroi” u hap edhe një portë e re. Botimet KOHA përuroi vëllimin e parë të monografisë “Monument” të autorit Artan Krasniqi - një vepër që rikthen shkëlqimin e kohëve të kaluara nëpërmjet përshkrimit të trashëgimisë kulturore të Kosovës.

“Portat e Pejës” zbulon të vërtetën e një qyteti

“Portat e Pejës” është një roman në dorëshkrim që përthekon të kaluarën e një qyteti. Romani i Kelmendit triumfoi në konkurrencë të fortë autorësh e veprash të paraqitura për shpërblimin “Rexhai Surroi”.

Emrin e laureatit të sivjetmë të çmimit prestigjioz për letërsi e ka zbuluar shkrimtari Kim Mehmeti, që po ashtu mban në sirtar trofeun me emrin e gazetarit, shkrimtarit, politikanit e diplomatit Rexhai Surroi. Mehmeti ka thënë se mes romaneve me vlera të larta letrare që ka lexuar juria, është edhe dorëshkrimi i një romani që nëpërmjet kujtimeve të së kaluarës përthekon një të kaluar të Kosovës.

“Bëhet fjalë për një roman që shpalos të vërtetën se qytetet janë si njerëzit, se ato kanë fytyra, dhe fytyra e tyre janë bulevardet, natyra e çdo gjë që i rrethon”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, “Portat e Pejës” është roman që tregon se një popull e ka të garantuar lirinë, por vetëm nëse nuk i tradhton ëndrrat e veta për liri. “Për herë të parë ne si juri vendosëm që çmimin për letërsi t’ia dhurojmë një romani të pabotuar. Një romani që përshkruan portat e një qyteti nëpër të cilin qytet autori na shëtit duke i hapur portat e kujtimeve të veta për të shkuarën e Pejës”, ka thënë ai.

Binak Kelmendi, laureat i çmimit të sivjetmë për letërsi, ka falënderuar ata që e vlerësuan, tek ka ndarë një kujtim të vogël për Rexhai Surroin. Ka rrëfyer sesi dy herë ai do t’ia mësonte potezat për të fituar një lojë shahu. “Edhe këtë sot e konsideroj fitore”, ka thënë Kelmendi.

Çmimi për gazetari të shkruar “Rexhai Surroi 2014”, që i referohet harkut kohor nëntor 2013 - tetor 2014, ka vlerësuar dy shkrime të publikuara në gazetën “Koha Ditore” e që shpërfaqin

dy prej skandaleve më të mëdha të vitit. “Dyshime të forta për korrupsion në EULEX” i Kajtazit, që pasoi me seri artikujsh të publikuar midis datave 27 e 31 tetor, bën fjalë për zbulimin e skandalit të korrupsionit në strukturat e EULEX-it, i cili, siç ka përshkruar kryeredaktori i portalit “koha.net”, Zenun Çelaj “shkaktoi tërmet jo vetëm në radhët e këtij misioni, por edhe në gjithë Bashkimin Evropian, që përbën një variant të skandalit të njohur ‘Watergate’ në ShBA. Ndërsa shkrimi i Krasniqit, me titull “Profesorët mashtrues të UP-së”, nxori në dritë diplomat dhe gradat shkencore false në universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe rezultoi me rrëzimin e rektorit të këtij institucioni.

Tek ka lexuar arsyetimin e jurisë për ndarjen e këtyre dy çmimeve, Çelaj ka thënë se vlerësimi ka qenë unanim. “Dhe ndërsa në shumësinë e gjithë këtyre shkrimeve, që të bëjnë krenar se i përket profesionit të gazetarit, do të ishte e zakonshme të thuhej se nuk ka qenë e lehtë të përzgjidhen shkrimi e autori për shpërblim, që fatkeqësisht është vetëm një. Por, juria s’pati s’i t’u shmangej dy prej tyre, të cilat me jehonën, seriozitetin, përmbajtjen, mënyrën e trajtimit dhe stilin e të  shkruarit, e edhe efektet e tyre, kishin kapërcyer kufijtë e shtetit”, ka thënë Çelaj.

Gazetari Vehbi Kajtazi, sivjet, për herë të tretë mori çmimin prestigjioz. “Jam shumë i lumtur që është vlerësuar puna jonë nga një juri profesionale. Është vlerësuar ky mund i gjithë kompanisë ku unë punoj dhe jam po ashtu shumë i nderuar që sivjet ka fituar një storie që ka të bëjë me zyrtarët e Bashkimit Evropian”, ka thënë Kajtazi, tek ka falënderuar kolegët, redaktorët e njerëzit që e kanë ndihmuar gjatë punës së tij.

Gazetari Besnik Krasniqi ka kujtuar se shkrimi për të cilin mori çmimin rezultoi me protesta, por edhe me dorëheqjen e menaxhmentit të UP-së. “Është vërtet një sinjal shumë i mirë ai, meqë këto storiet tona e kanë një ndikim. Por fatkeqësisht pas një kohe ndodhi që sërish në krye të Universitetit të vijnë njerëz me kredenciale të dyshimta. Uroj që së paku për storien e Vehbiut të mos kemi dekurajim të tillë që autoritetet t’i shkojnë deri në fund çështjes”, ka thënë Krasniqi.

Surroi: KOHA mohon padrejtësinë e trashëguar

Edicioni i shtatë i ceremonisë “Rexhai Surroi” i ka vënë “kapak” një viti të suksesshëm të Kompanisë KOHA që përveç informimit të publikut, sivjet ka investuar edhe në avancimin e

teknikës. Kalimi i Kohavisionit në teknikën digjitale, avancimi i pamjes së portalit “koha.net”, e suksesi i bestsellerit “Këmbët e gjarprit” me autor Veton Surroin, përbëjnë mozaikun e sukseseve të kompanisë, në krye të së cilës dhjetë vjet më parë erdhi Flaka Surroi.

Një përmbledhje për rrugëtimin e së parës së kompanisë gjatë ndërtimit të një institucioni të gazetarisë së pavarur, në ceremoninë “Rexhai Surroi” e ka prezantuar publicisti Veton Surroi.

Ai ka thënë se në kohën kur ishte larguar nga drejtimi i kompanisë KOHA, një pjesë e njerëzve e kishte trajtuar këtë ndryshim si gjest simbolik dhe kishin vazhduar të besonin se ai do të dirigjonte nga prapaskena. “Nuk kanë mundur të jenë më larg nga e vërteta edhe qëllimmirët, por edhe ata që nuk e kishin këtë qëllim. Nuk kanë ditur se edhe kur kam qenë në krye të kompanisë besimi im në gazetarinë e pavarur më ka udhëzuar që kurrën e kurrës të mos e cenoj integritetin profesional të një gazetareje, apo gazetari, të një redaktoreje apo redaktori”, ka thënë Surroi, tek ka shtuar se sikur atë, edhe Flakën në këtë rrugëtim i ka shoqëruar besimi i ndërtimit të një institucioni të gazetarisë së pavarur.

E sipas Surroit, ky institucion prej se timonin e ka marrë Flaka Surroi është zgjeruar e avancuar edhe më. Ka përmendur sesi “Koha Ditore” ka ndryshuar pamjen dhe është gazeta kryesore mbarëshqiptare, KTV-ja ka marrë sinonimin e besueshmërisë, portali “koha.net” është shndërruar në pikë reference e informimi.

Por autori i librit me ese “Këmbët e gjarprit” ka thënë se kushtet për ta ruajtur pavarësinë nuk janë bërë më të lehta me kalimin e viteve. “Kur unë isha në krye të kompanisë KOHA, Kosova ishte e okupuar nga Serbia. Prej se është në krye Flaka, Kosova është e okupuar nga zaptuesit e shtetit”, ka thënë Surroi, tek ka shtuar se nuk bëhet fjalë për zaptues që rrahin

e vrasin, por për të tillë që marrin nën kontroll institucionet e hapësirën mediatike. “Në shtetin e zaptuar është më lehtë të vlerësosh se sa është hapësira e pazaptuar se sa është hapësira e zaptuar. Vendin më meritor të hapësirës së pazaptuar e zë pa dyshim kompania KOHA”, ka thënë ai.

Sipas tij, në rrethana të tilla Flaka “nga zgafellja” e ka udhëhequr dhe fituar një betejë të rëndësishme. “Është beteja që e mohon padrejtësinë e trashëguar. Pra, që mohon atë të

pamundësisë që fjalët ‘grua’ edhe ‘të suksesshme’ të jenë në të njëjtën fjali”, ka thënë Surroi, teksa ka shtuar se në familjen Surroi të qenët grua dhe me sukses nuk është risi e as përjashtim.

“Por beteja e Flakës po zhvillohet në kushtet e përpjekjes për prapakthim të barazisë. 70 vjet pasi që hoqi çarçafin gjyshja jonë Sadife, po bëhen sërish përpjekje që femra kosovare të mbulohet me shami e çarçaf, në përpjekje për t’ia mbuluar edhe fytyrën, edhe veshët, edhe gojën, edhe dinjitetin”, ka thënë ai, teksa ka përfunduar se Flaka e ka dëshmuar se beteja e fituar e saj është një fitore domethënëse që beson se dinjiteti i gruas kosovare është dinjitet i Kosovës.

Çmimi për Çavollin, mirënjohje për një gjeneratë

Një version i shkurtër i bisedës me profesorin Riza Çavolli pasqyroi në pika të shkurtra rrëfimin për laureatin e sivjetmë të çmimit për vepër jetësore, “Rexhai Surroi”. Sivjet, pjesëtari i brezit të parë të shqiptarëve që kryen fakultete e shënoi 60-vjetorin e diplomimit në Fakultetin e Shkencave Matematike- Natyrore në Beograd. Opusi i tij profesional e shkencor numëron 21 libra dhe afro 85 njësi bibliografike, artikuj, studime e punime shkencore. Por, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Rexhai Surroi” drejtoresha e Grupit

KOHA, Flaka Surroi, e njoftoi Rizën që numri i librave të tij tashmë ka shkuar në 22. Ajo prezantoi libër-leximin për klasën e 8-të “Gjeografia e kontinenteve pa Evropën”- që është dhurata të cilën Botimet KOHA ia ka bërë Çavollit për ditëlindjen e 85-të.

“Botimi i këtij libri ishte mbase forma më e mirë për ta falënderuar prof. dr. Riza Çavollin për të gjithë kontributin e tij njerëzor, profesional e shkencor në avancimin e arsimit në Kosovë. Ishte komplementimi i mirënjohjes për veprën jetësore që ne si themelues kishim vendosur që t’ia dedikonim sivjet”, ka thënë Surroi.

Ajo ka paralajmëruar se së shpejti Kohavision do të emetojë versionin e gjatë të bisedës me Çavollin, që shpërfaq dy tipare të cilat e karakterizojnë personalitetin e tij- përkushtimin dhe vendosmërinë.

Profesori Riza Çavolli ka thënë se çmimi “Rexhai Surroi” ka kuptim e vlerë të veçantë për të. “Ky shpërblim ka vlerë të madhe për mua për faktin se kam pasur mundësi  ta njoh Rexhain, me të cilin më vonë kam kaluar një pjesë të jetës sime, si nxënës, student dhe intelektual”, ka thënë Çavolli.

Tek ka shpalosur rrëfimin për gjeneratën me anëtarë nga mjedise të ndryshme të Kosovës, Malit të Zi e Luginës së Preshevës, ai ka folur edhe për sfidat nëpër të cilat kishte kaluar ai brez. “Shkollimi ynë ka qenë i vështirë, baza e ulët materiale, mungesa e kuadrit arsimor, mësimi në serbokroatisht, pa mjete mësimore, pa tekste shkollore kanë ndikuar mjaft në mësimin tonë dhe punën tonë të mëtejshme”, ka thënë ai në ceremoninë që është shoqëruar edhe me performancë të tenorit kosovar të njohur në skenat ndërkombëtare, Ramë Lahaj, në shoqëri të pianistes Ingrid Pulizo.

“Monument”, një rrugëtim i së tashmes në të kaluarën

“Monument” - monografia që ka marrë emrin sipas rubrikës me të njëjtin titull të serisë së shkrimeve për trashëgimi kulturore, të cilat botohen në gazetën e së dielës të “Kohës Ditore”, qysh prej gushtit të vitit të kaluar, është përuruar në edicionin e shtatë të “Rexhai Surroit”. Libri me autor Artan Krasniqin përmbledh 30 shkrime për monumentet e trashëgimisë kulturore.

Është një rrugëtim, siç e quan bashkëreaktori Granit Kurti, i së tashmes në të kaluarën. “Në zymtësinë e ditëve të sotme, rikthen shkëlqimin e kohëve të kaluara, e cila - jo se ka qenë kopsht me lule - por së paku na ka lënë diçka për ta mbajtur gjallë kujtesën”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se, ndër të tjera, kjo vjen si një porosi që në të tashmen do të duhej të linim ca shenja me qëllim që t’iu kthehemi në të ardhmen.

”Qoftë edhe sa për të rigjetur një grimë shkëlqim”, ka thënë ai. Kurti e ka quajtur librin “Monument” vepër të një njeriu optimist, tek e ka krahasuar me skenarin e filmit ”La vita e bella” i Roberto Begninit, i cili në tymin e luftës arrin ta gjejë e të na thotë se ”jeta është e bukur”. ”Mbi të gjitha është një libër për ata që duan ta njohin Kosovën. Një Kosovë ndryshe, të rizbuluar nëpërmjet monumenteve”, ka thënë ai.

Artan Krasniqi, autor i librit ”Monument”, ka thënë se shpreson që ata që do ta lexojnë librin do ta njohin më mirë dhe do ta duan më shumë Kosovën.

”Prandaj, rezultati i një kombinimi - në mes të asaj kur autori shkruan thjesht për atë që do, punës ekipore të dhjetëra personave, rrëfimeve të sinqerta të njerëzve për të kaluarën e tyre

kulturore, dijes së akumuluar të shkencëtarëve e studiuesve dhe lokomotiva e ideve dhe realizimit, Flaka Surroi - është ky libër që, siç e ka cilësuar ajo në parathënie, i takon një Kosove për ta dashuruar”, ka thënë Krasniqi.

”Monumentit” i kanë dhënë ngjyrë fotografitë e Driton Paçaradës, Alban Bujarit e Arben Llapashticës. Është përkthyer në anglisht nga Lura Limani. Vëllimi i parë i monografisë së përuruar në ”Rexhai Surroi” është veç fillimi i një rrëfimi. Edhe pesë vëllime të tjera janë pjesë e projektit.